Plumbat ndaj Top Channel: Krim i pazbardhur ndaj medias – Top Channel

Plumbat ndaj Top Channel/ Duma: Krim i pazbardhur ndaj medias që duhet të jetë e paprekshme!

Sulmi ndaj Top Channel ishte një ndër ngjarjet më të rëndë që shënjuan këtë vit, një goditje ndaj medias, që mori jetën e rojës së ndjerë Pal Kola. Në një analizë të momenteve më të rëndësishme të këtij viti, autorja dhe moderatorja e “Top Story”, Grida Duma, evidentoi se si ende kjo ngjarje nuk është zbardhur. Humbja e jetës së Pal Kolës ka qenë e ndjerë nga të gjithë stafet, kolegët, nga ata që e drejtojnë Top Channel në çdo nivel. Nuk ka një përgjigje se përse ndodhi kjo. Një media kaq prestigjioze, që në një mënyrë apo një tjetër edukimin, formimin, influencën e saj në 30 vite tranzicion në Shqipëri. Edhe sot, pas gati një viti, nuk ka një përgjigje për këtë ngjarje të rëndë që është një dhe e vetme e këtij niveli në goditjen e një mediaje. Për mua, homazhet më të mëdha nuk i shkojnë vetëm Pal Kolës, i shkojnë qindra heronjve të heshtur, anonim, që nuk i di askush, që edhe shpesh jeta u ikën edhe pa qëllim, edhe pa kuptim, edhe rastësisht, edhe aksidentalisht. Që i mbyt padrejtësia, varfëria, mungesa e mundësive, dëshira për të ikur gjatë gjithë kohës sepse nuk ia dalin dot në një vend i cili tranzicionin nuk e ka kaluar dot në fakt. Është homazh për të gjithë ata njerëz që kanë fatin të jetojnë, por nuk jetojnë sikurse meritojnë shqiptarët, që unë do të doja që në dekadën tjetër të ishin shqiptarët e pasur, shqiptarët e mundësive. Media duhet të jetë e paprekshme, tha Duma. Sipas moderatores, Top Channel besohet sot më shumë se çdo institucion tjetër, teksa qytetarët e shohin si shpresë për problemet e tyre. Ajo që kemi dëshmuar ka qenë se media në vendet me tranzicion e demokraci të brishta, mbetet më e rëndësishmja. Gjatë karrierës profesionale këtu, kam parë se si qytetarët nuk i kanë besuar as politikës, as drejtësisë, as policisë, as hetimit, kanë ardhur në emisionet investigative për të gjetur të drejtën e vet dhe për të qenë të mbrojtur. Dhe në fakt media në vende si këto që nuk e kanë demokracinë funksionale është pushteti i parë dhe duhet ruajtur i parë.