Aktori dhe shkrimtari Ardian Cerga ka botuar librin e tij të ri, “Kohë të harruara”, në të cilin sjell kujtimet nga vitet e ‘errëta’ që u detyruar të jetojë nga regjimi i kohës në 1980 në Berat. Ai ishte vetëm 23 vjeç kur e dërguan nga Tirana, për të jetuar në një realitet të ri në qytetin e Beratit. Ardian Cerga, ose Nani sic e njihnin të gjthë, për t’u ndëshkuar nga regjimi, u emërua si një aktor teatri në qytetin pa teatër të Beratit. Megjithëse kaloi në Berat 9 vite, ai nuk donte të ngelej aty. I vendosur përballë regjimit të ashpër komunist, ai mundohet të përballojë realitetin e ri me të cilin përballet në qytetin e “një mbi një dritareve”. Këto dhe shumë të tjera detaje që i ka hedhur në fletët e këtij libri, ai i ka rrëfyer edhe në “Shqipëria Live”. “Ishin kohë që jam përpjekur t’i shpjegoj në këtë libër. Kam përshtypjen se ndoshta gjithë brezi ynë, nuk qasej dot me atë sistem. Nuk është e thjeshtë të bësh një analizë të asaj kohe, duke futur brenda moshën, pasionet, ëndrrat dhe atë që shikonim përtej detit. Për dëshirën e madhe që kishim për jetën tonë, se tek e fundit për atë luftonim. Në atë kohë nuk ishte normale të bëjë atë që mosha të ofronte. Duhej të ishe besnik i partisë dhe jo një i ri revolucionar. Nuk jam unë element që ka dalë jashtë rigave të asaj kohe… po ashtu kanë qenë shumë shokë dhe miq të tjerë”, tha ai ndër të tjera.