“Kufijtë e Rusisë mund të ndryshojnë” – Paralajmëron Kasparov

Lideri opozitar rus në mërgim dhe bashkëthemeluesi i Forumit Rusia e Lirë, Garry Kasparov ka deklaruar se kufijtë e tanishëm të Rusisë “mund të ndryshojnë”, nëse Moska e humb luftën në Ukrainë, megjithatë shpërbërja e plotë e Rusisë nuk ka gjasa të ndodhë. Rajonet të cilat mund të ndahen nga Federata ruse, sipas Kasparov, janë republikat si, Tatarstani, Bashkortostani, Dagestanu dhe Çeçenia, por ai theksoi se nuk beson se gjithçka është e qartë për atë që do të ndodhë pas luftës. Ai gjithashtu beson se ndryshimi i “karakterit perandorak” i Rusisë është i nevojshëm për reformimin e këtij vendi. Kasparov tha gjithashtu se beson se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian “druhen” se mund të ndodhë shpërbërja e Rusisë, nëse ajo e humb luftën në Ukrainë. Kasparov, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara tani, njihet si kritik i fortë i politikave të Kremlinit, përfshirë i luftës në Ukrainë.