“Dëshmia për zhdukjen e ish-përkthyesit të Gestapos dhe vendimi për pushkatim”

Në godinën e Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit është një pllakat me emrat disa prej atyre që komunistët vranë në tetor-nëntor 1944. Midis të tjerash, këtu gjendet edhe emri i Petraq Stavri Pekmezit, ish-përkthyes i gjermanëve (i gjeneralit Fitztum, organizator gjerman i policisë në Shqipëri), por që kish ndihmuar komunistët me informacione gjatë asaj kohe, si dhe që pat shpëtuar jetët e shumë shqiptarëve. Pak metra më tutje, në mënyrë absurde, një rrugë mban emrin e vrasësit të Pekmezit. Kjo rrugë ka marrë këtë emër pas vitit 2000. Vrasja e Pekmezit ka qenë prej vitesh, e panjohur për publikun. Ai u zhduk teksa me kërkesë të komunistëve, ishte nisur me shoferin e tij, Fadil Kola, në drejtim të fshatit Linzë. Në listën e të vrarëve nga komunistët, përpiluar në vitin 1996, vrasja e tij shënohet në datën 12.11.1944. Ndërsa për Fadil Sulejman Kolën, i vitlindjes 1905, është shënuar data 17.11.1944. Petraqi kish lindur në Pogradec, në vitin 1902. Pasi mbaroi arsimin unik në Ohër, me ndërmjetësinë e xhaxhait të tij, Gjergj Pekmezi, ndoqi studimet e mesme dhe të larta për inxhinieri hidro-teknike në Universitetin e Vjenës. Në vitin 1923, kthehet në Shqipëri, duke krijuar një sipërmarrje private të tij, në fushën e hidroteknikës. Merret përkthyes gjatë Luftës nga gjermanët, për shkak të njohjes së mirë të gjuhës. Një hetim rreth kësaj çështjeje, u zhvillua në vitin 1984, teksa kish qarkulluar një thashethem i pavërtetë, sikur Nuçi Tira, (ish-kolonel, kryetar i Degëve të Brendshme, në Lushnje, Pogradec, etj.), i cili gjatë Luftës ishte efektiv i Brigadës së 1-rë Sulmuese të Mehmet Shehut, ishte personi që e kish vrarë Petraq Pekmezin. I prekur nga këto fjalë, të provuara si të pavërteta, si dhe duke synuar të vërtetën, Nuçi Tira u vu në lëvizje ta zbardhte këtë çështje. Ishte takuar me Petraqin në tetor 1944, në shtëpinë e Vangjel Peristerit. Petraqi kish ndihmuar me mjaft informacione, por në fund ishte vrarë. Gjatë kësaj kohe, po diskutohej skenari i një filmi të Kinostudios “Shqipëria e Re”, rreth këtyre ngjarjeve. Regjisori kish kontaktuar me shumë persona, midis të cilëve edhe me Bako Dervishin (ish-gjeneral-major, komandant Korpusi, etj). Referuar letrës që Nuçi Tira, i dërgon më 28.1.1984, Ministrit të Punëve të Brendshme Hekuran Isai, kur regjisori kish pyetur Bako Dervishin, ky ishte përgjigjur: “Rri more djalë e, mos i hyr kësaj pune, se do të na nxjerrësh telashe. Petraq Pekmezin e kam vrarë unë, neve partizanët”. Bako Dervishi kish rrëfyer se; pasi Petraqi kish mbërritur në Linzë, ata (përveç tij edhe Abaz Fejzo dhe Zija Këlliçi), e morën në pyetje si të pandehur, duke e torturuar, me kërkesën për të treguar rrjetin sekret të Gestapos Gjermane. Në përfundim, Bako dhe Abazi, morën vendim ta pushkatonin e, për këtë kishin bërë edhe një lloj vendimi gjyqi, por Zijai refuzoi të nënshkruajë.